Tjetër skandal i kurdisjeve të ndeshjeve ka goditur Spanjën. Sipas të përditshmes spanjolle Marca, Njësia Antikorrupsion ka vënë në shënjestër ish-presidentin e Osasunas, Miguel Archanco, i cili dyshohet se ka tentuar blerjen e disa ndeshje në fund të sezonit të kaluar, për të siguruar mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll.
Bëhet fjalë për 1 milion e gjysmë euro, që kupola drejtuese e ekipit nga Navarra i kishte ndarë për të korruptuar lojtarët e skuadrave kundërshtare.
Në total po hetohen katër ndeshje, por jo të gjitha me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të drejtuesve të Osasunas, skuadër e cila synonte mbijetesën por që në fund nuk mundi të qëndronte në Primera Division.
Në një rast blerja e ndeshjes nga presidenti i Osasunas mbeti thjesht një tentativë, pas refuzimit të lojtarëve kundërshtarë, por në rastet e tjera nuk ndodhi kështu edhe pse paratë nuk përfunduan kurrë në destinacion.
Por hetimet për klubin nga Navarra nuk kufizohen vetëm në tentativat për blerjen e ndeshjeve, pasi autoritetet kanë zbuluar lëvizje të pajustifikuara të parave, që do të hetohen gjithashtu edhe nga Liga e Futbollit Profesionist në Spanjë.
No comments:
Post a Comment