Saturday, February 28, 2015

Një milion ndërtime pa leje në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni

Mbi 1 milion ndërtime pa leje numërohen në të katër shtetet e Ballkanit, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi.

Shifra është bërë publike sot në Tiranë në konferencën përmbyllëse rajonale "Informaliteti, zgjidhje dhe sfida", ku përfaqësues nga të katër vendet u mblodhën për të diskutuar dhe për të ndarë mes tyre përvojat dhe eksperiencat më të mira në menaxhimin e procesit të legalizimeve.
Artan Lame, drejtor i Agjencisë së Legalizimeve në Shqipëri, tha se problemi më i madh dhe i përbashkët i këtyre vendeve, mbetet shifra e lartë e ndërtimeve pa leje, por edhe pronësia e këtyre objekteve sidomos në Shqipëri.
"Veçantia më e madhe e Shqipërisë mbetet shifra, 427 mijë objekte pa leje. Së bashku këto 4 vende kanë mbi 1 milion ndërtime pa leje. Besoj se mjaftojnë këto dy shifra për të dhënë uraganin e madh të problemit. Dhe veçantia tjetër e madhe e Shqipërisë është problemi i pronësisë," tha Lame.
Ndërsa, përfaqësuesi nga Kosova, zv.drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Agim Radoniqi tha se krahas 140 mijë ndërtimeve pa leje të evidentuara deri më tani, ka edhe të tjera që pritet t’i shtohen listës, pasi për momentin procesi i legalizimit në Kosovë është në fazën e regjistrimeve.
Problemi më shqetësues sipas Radoniqit në Kosovë janë ndërtimet në tokat bujqësore. Ai foli edhe për tarifën që duhet të paguajnë qytetarët e Kosovës për të legalizuar banesat e tyre, ndërsa tha se ajo do të jetë minimale diku te 3 euro, megjithatë ndryshon sipas komunave.
"Numri prej 140 mijë është faza e regjistrimit deri më 11 qershor të këtij viti dhe presim që ai numër të shtohet. Se sa saktësisht le ta shohim në bazë të regjistrit. Është shqetësuese se këto ndërtime zakonisht janë ndërtuar në zonat rurale në Kosovë dhe janë të shtrira jo në mënyrë kompakte, edhe më tej çka është më shqetësuese, (besoj edhe në vendet e tjera të Ballkanit), është pikërisht ndërtimet në tokën bujqësore, e cila është një aset për shtetin. Tarifat; secila komunë ka tarifat e veta, me një përqindje mesatare është shumë e lirë, diku deri në 3 euro, por varet prej kostos në evidencë të secilës komunë," tha përfaqësuesi nga Kosova Agim Radoniqi.
Maqedonia ka ecur më mirë se vendet e tjera me procesin e legalizimeve, ndërkohë që sipas përfaqësuesit Jakup Fetai, procesi pritet të mbyllet shumë shpejt. Sipas parashikimeve për afro një vit do të përfundojë 60 për qind e procesit të legalizimit.
"Ky ligj filloi prej fillimit të 2011-ës dhe u mor shumë seriozisht, pra prej 360 mijë paraqitës, apo aplikimesh për legalizim deri tani, 120 mijë janë të regjistruara në Zyrën e Hipotekës apo në kadastër, kurse 80 mijë objekte janë në proces e sipër, mbeten edhe 150 mijë. Besojmë se brenda 1 viti do të kalojë 60 për qind e legalizimit, mirëpo unë personalisht besoj se do të ketë shtyrje të procesit," tha përfaqësuesi nga Maqedonia.
Ndërkohë e njëjta situatë problematike me ndërtimet informale evidentohet edhe në Mal të Zi, ku krahas numrit të madh të tyre mbeten problem edhe ndërtimet pa leje në bregdet apo në zona të tjera turistike./kp/

No comments:

Post a Comment