Saturday, February 21, 2015

Ja ku do të ndërtohet stadiumi i ri i Kosovës

Stadiumi kombëtar pritet të ndërtohet mes Gazimestanit e Bërnicës

Dhjetë anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kërkesës për aprovim të lokacionit për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës në Prishtinë, të mërkurën, kanë vizituar dy parcela si opsion për ndërtimin e shtëpisë së ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Parcela e parë prej pesë hektarësh tokë që është vizituar ka qenë në Gazimestan, kurse ajo prej 25 hektarësh në Bërnicë, shkruan sot Koha Ditore.
Gazeta ka siguruar një kopje të vendimit të marrë nga sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, ku thuhet se ky Komision i përbërë nga dhjetë persona është i autorizuar të caktojë lokacionin për stadiumin, themelet e të cilit është planifikuar të vihen këtë vit.
“Komisioni është i autorizuar të bëjë përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës dhe të bëjë një raport me shkrim dhe ta dorëzojë në MKRS dhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, thuhet në vendimin e MKRS-së.
Komisionin e formuar më 12 shkurt të këtij viti e përbëjnë zyrtarë të MKRS-së dhe të Departamentit të Sportit pranë kësaj ministrie, zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

No comments:

Post a Comment