Sunday, March 1, 2015

Përsëritet historia, City nuk njeh fitore në Anfield

Manchester City duhet ta presë sezonin e ardhshëm për të shpresuar për një rekord pozitiv në Anfiled. Hera e fundit që kampioni i Anglisë ka fituar para tifozëve të Liverpoolit ka qenë viti 2003, ndërsa fitoren nuk e shijon as në vitin 2015.
Redsat e fituan kryendeshjen e javës së 27-të të Ligës Premier me rezultat 2-1.
Të dyja skuadrat patën periudhat e tyre të dominimit gjatë pjesës së parë. Mysafirët e filluan mirë, por pastaj u desh të përballonin sulmin e fuqishëm të nikoqirëve.
Sërish pozitat u ndryshuan më Cityn që sulmonte dhe Redsat që mbroheshin. Gjatë këtyre rotacioneve në lojë, u shënuan dy gola – nga një për secilën skuadër.
Kompany e humbi topin në mesfushë duke i lejuar vendasit që të kundërsulmonin shpejt. Coutinho dhe Sterling kombinuan mirë, para se topi të shkonte te Jordan Henderson, i cili shënoi një gol fantastik (11’)
Kundërpërgjigja e vizitorëve erdhi në minutën e 26-të. Aguero shmangu disa lojtarë para se të dërgonte një pasim të bukur në zonë, të cilin e priti Edin Dzeko dhe e barazoi rezultatin.
Angazhimi i ‘Të Kuqve’ në pjesën e dytë u konkretizua me një rikthimin e avantazhit. Coutinho pranoi një top nga Sterling dhe bëri një goditje që Hart assesi nuk mund ta ndalte (75’).
Rastet për Cityn nuk munguan në rrjedhën e minutave, mirëpo faza ofensive e tyre nuk u tregua efikase deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.
Humbja e lë Manchester Cityn pesë pikë prapa Chelseat (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar), derisa Liverpooli është në pozitën e pestë në tabelë me pikë të barabarta me Arsenalin (që luan kundër Evertonit). /Telegrafi/

No comments:

Post a Comment